Albsig shoqeri sigurimesh

Pyetja 1 mln dollarë “Të bëjmë apo jo sigurim shtëpie nga tërmeti?”

  • Home
  • Pyetja 1 mln dollarë “Të bëjmë apo jo sigurim shtëpie nga tërmeti?”
Pyetja 1 mln dollarë “Të bëjmë apo jo sigurim shtëpie nga tërmeti?”
Pyetja që vjen natyrshëm do të ishte: “A ka ndonjë mundësi që këtë kosto, në rastin më të mirë, të na e mbulojë 100% dikush dhe në rastin optimal, të mund ta ndajmë me dikë?”

 

Nga Irma SHKREPA*

Këto ditë në çdo media, në çdo familje në mbarë globin po flitet për tërmetin dhe pasojat e tij në Turqi dhe Siri. Shohim e ndjekim me dhimbje pamjet, lajmet e trishta, sikundër dhe u gëzohemi atyre pozitive, për njerëz të shpëtuar apo ndjesive të solidaritetit humanitar në mobilizimin e ndihmave për të dëmtuarit.

Tërmeti citohet si dukuria më e rrezikshme natyrore, jo për shkak të nivelit të dëmeve që mund të shkaktojë, por për natyrën që ka si ngjarje, pasi deri më sot, njerëzimi nuk ka arritur të sinjalizojë apo parashikojë kohën e ndodhjes së tij, vendin apo amplitudën.

Ky nivel kaq i lartë ambiguiteti e drejton vëmendjen e njerëzve jo te masat parandaluese, apo paralajmëruese (sepse janë të pamundura edhe shkencërisht), por në krijimin e mjeteve dhe mekanizmave që minimizojnë pasojat e tërmetit.

Bashkimi Europian dikton, me detyrim për vendet anëtare, përmbushjen e disa parametrave teknikë të ndërtimit të reflektuar në ato që quhen Eurokode, në referencë të qëndrueshmërisë së godinave kundrejt tërmeteve (Referencë Eurokodi 8, Dizenjimi i strukturave në referencë të rezistencës kundrejt tërmeteve; Pjesa 1 dhe 5)

Sipas Hartës sizmike të publikuar nga Komisioni Sizmologjik Europian (ESC), renditja e vendeve sipas frekuencës dhe amplitudës së nivelit sizmik është: Turqi, Greqi, Shqipëri, Itali dhe Rumani, të cilat ndiqen nga vendet e tjera të Ballkanit.

Në terma praktikë do të thotë që ne jemi në një zonë me aktivitet jo vetëm të theksuar sizmik, por edhe të përhershëm (“të përjetshëm”). Për ta kuantifikuar në formate statistikorë; për çdo vit mund të shfaqen afërsisht 80 mijë tërmete tektonikë, nga të cilat, afro 10 janë shumë të fuqishëm ose ndryshe në çdo afërsisht 20 vite, mund të pritet të bjerë një tërmet i fuqishëm.

Kjo do të thotë që pavarësisht moshës që kemi, cilido shtetas në Republikën e Shqipërisë do të përjetojë të paktën njëherë në jetën e tij një tërmet.

Pasojat e tërmetit janë emocionalë, fizikë në rast së lëndohemi nga infrastruktura që shkatërrohet për shkak të lëkundjeve, ose financiare, kur humbasim investimin më të rëndësishëm sikundër është shtëpia. Rikonstruksioni apo rindërtimi i shtëpisë së rrënuar nga tërmeti është një “shok” psikologjik për:

-Familjet e reja, apo individë, të cilët kanë marrë kredi për blerjen e saj dhe mbeten me borxh në bankë, pa shtëpi dhe pa mundësi për marrjen e një kredie tjetër për të blerë një shtëpi tjetër

Familjet, të cilat zotërojnë shtëpitë e tyre, por kursimet i kanë të pamjaftueshme apo të planifikuara për investime të tjera si arsim fëmijësh, plane pensioni privat, plane kujdesi shëndetësor etj., për të blerë shtëpi, apo për të rindërtuar shtëpinë e dëmtuar.

Familjet apo individët në moshën e tretë; me fëmijë të larguar në emigracion, apo me qasjen për të mos ju bërë barrë fëmijëve e t’ju shkaktojnë kosto të papritura, si rindërtimi i shtëpisë së dëmtuar, apo blerja e një shtëpie të re.

Sa më lart, duhet ta faktorizojmë me koeficientin e rritjes së çmimit të shtëpive në Shqipëri, që çdo vit mban trendin rritës dyshifror, sipas zonave dhe qyteteve të 10-40%, e cila e rëndon edhe më shumë bilancin e financave personale dhe/ose familjare, pasi kërkohet një investim i konsiderueshëm për të rikthyer banesën e dëmtuar në gjendjen sikundër ishte para ndodhjes së tërmetit apo rindërtimi i saj nga fillimi.

 

 

Si mund të ndahet kosto

Pyetja që vjen natyrshëm do të ishte: “A ka ndonjë mundësi që këtë kosto, në rastin më të mirë, të na e mbulojë 100% dikush dhe në rastin optimal, të mund ta ndajmë me dikë?”
Opsioni i parë që na vjen në mendje është Shteti! Në parimin bazë, ekzistenca e tij është të jetë në shërbim të shtetasve të tij, duke i ndihmuar në situata të jashtëzakonshme, sikundër është tërmeti.

Po nga se përbëhen financat e shtetit tonë që të kuptojmë dhe vlerësojmë kapacitetin pagues, në rast të një emergjence shpenzimi si dëmtimet e tërmetit?

Të ardhurat, shteti ynë i siguron nga taksat e tatimet, për të cilat çdo ditë diskutohet niveli i eficiencës së mbledhjes së tyre në mënyrë korrekte ndërkohë që në bëhemi dëshmitarë çdo ditë të mungesës së lëshimit të kuponëve tatimorë në pika shitje, apo shërbimi, që në fakt, d.m.th. jemi pjesë kontribuuese e mungesës së të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Me këto të ardhura, shteti duhet të mbulojë shpenzimet korente buxhetore dhe të realizojë investimet që do të krijojnë hapësira zhvillimi për ekonominë në funksion të rritjes së të ardhurave buxhetore. Investimet janë gjithmonë një zë që planifikohet shumë mirë dhe në avancë, për shkak të nivelit të financimit që kërkojnë.

Tërmet për buxhetin e shtetit nënkupton Investim, por i papritur dhe i paplanifikuar! Kjo d.m.th. që është një ushtrim shumë i vështirë dhe i zgjatur në kohë për shtetin që të gjejë fonde për të bërë rikonstruksionin, apo ndërtimin e objekteve të dëmtuara. Ndërkohë që presioni nga të dëmtuarit për fillimin e menjëhershëm të ndërtimit është në pikën ekstreme, sepse shtëpia është strehim dhe nevojë e domosdoshme!

Opsioni i dytë është sigurimi i shtëpisë nga tërmeti.

Sigurimi i shtëpisë nga tërmeti është një kontratë ligjore me palë; një kompani sigurimi, e cila merr përsipër dëmshpërblimin e palës tjetër që quhet pala e siguruar dhe/ose përfituesi/t në masën e shumës së siguruar, e cila mund të jetë e formës rikthim i objektit të siguruar (shtëpisë/godinës) në gjendjen para ndodhjes së tërmetit, ose në formë monetare, sipas nivelit të vlerësimit të dëmit nga ekspertët e licencuar të profesionit “vlerësues dëmesh në sigurime”, në kushtet kur pala e siguruar ka paguar primin e sigurimit, që është çmimi që kjo e fundit duhet të paguajë si kusht paraprak për marrjen e këtij sigurimi.

Përse t’u shtojmë financave tona këtë shpenzim, ndërkohë që kemi shtetin që duhet të na përgjigjet?

Përgjigjja është: Sepse nuk është shpenzim, por investim! Duke pasur sigurimin nga tërmeti:

-Jemi të qetë psikologjikisht, pasi edhe nëse shteti do të jetë ose jo i përgatitur me financat e tij për t’iu përgjigjur kërkesës për rindërtim të shtëpisë së dëmtuar, ne jemi të sigurt që punimet për ndërtimin e shtëpisë fillojnë menjëherë me fondet e kompanisë së sigurimit.

-Procedura operacionale është e thjeshtë me kompaninë e sigurimit; me paraqitjen e dokumenteve të cituara në policën e sigurimit fillon procesi i dëmshpërblimit.

Procedura me shtetin është e komplikuar dhe burokrate, sepse i duhet më shumë kohë dhe kapacitete njerëzore në proces; grupet e inspektimit, verifikimit, vlerësimit, përpunimit, aprovimit të kërkesës e më pas të hapjes së fondeve në buxhet, procedurave të tenderimit apo dokumentacioneve për pagesa.

-Sigurimi nga tërmeti është kontratë ligjore, e cila ka fuqinë për të vendosur pretendimet e palëve në lidhje me respektimin e kushteve dhe termave të saj për gjykim nga palë të treta, si
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe/ose sistemi gjyqësor.

Kjo e bën këtë kontratë më favorizuese për qytetarin, pasi në rast konflikti apo mosmarrëveshjeje me kompaninë e sigurimit ka në anën e “avokatit” të tij Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare e më pas, sistemin gjyqësor.

Në kushtet e një konflikti, apo mosmarrëveshjeje me shtetin, Avokatia mbetet vetëm me përfaqësim në sistemin gjyqësor, i cili për shkak të riformatimit nga Reforma në Drejtësi, sot përfaqëson një sistem në tranzicion me problemet e vonesave në trajtime dhe zgjatje të proceseve të gjykimit.

Statistikat që disponohen sot, edhe pse me marzh të lartë gabimi për sa kohë u referohemi burimeve zyrtare të Censit të vitit 2011 për numrin total të banesave në Republikën e Shqipërisë, raportojnë rreth 1,075,881 banesa/godina. Nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raportohen në shkallë vendi, për vitin 2022, rreth 54.054 polica sigurimi, duke treguar që vetëm afërsisht 5% e banesave kanë një sigurim prone.

Për një vend me profil sizmik si Shqipëria, me ndjeshmëri të lartë të vizualizimit të dëmeve dhe pasojave që një tërmet mund të shkaktojë, sikundër ishin ato që përjetuam në nëntor 2019, me evidentim të dhimbshëm të natyrës së “pabesë” të tërmetit që tronditi Durrësin në shtator 2019, ku shumë pak banorë të asaj zone rendën të bëjnë sigurimin e shtëpisë nën supozimin se ishte thjesht një lëkundje sporadike, që nuk do të vijonte më tej dhe me konfirmim shkencor që shqiptarët do të bashkëjetojnë me tërmetet, për shkak të pozicionit gjeografik që kemi, këto statistika mbeten paradoksale për t’u shpjeguar.

 

 

Kostot dhe përfitimet

Në anketimet kërkimore që janë zhvilluar dhe vijojnë të zhvillohen për të shpjeguar paradoksin e mësipërm janë marrë në analizë faktorët e mëposhtëm:

-Çmimi i sigurimit: në Shqipëri, çmimi i sigurimit të pronës është në nivelet rreth 1 euro/m², duke mos përmendur ofertat e limituara në kohë, që disa kompani kanë bërë, duke ofruar çmime fikse primi sigurimi, pavarësisht natyrës dhe sipërfaqes së pronës.

Kjo, në terma praktikë, do të thotë që për shtëpi me sipërfaqe 100 m², me vlerë 100.000 euro, e konvertuar në lekë 11.600.000 lekë, primi që duhet të paguajë në vit do të ishte 100 m² * 1 €/m² = 100 €, e cila e shpërndarë si kosto mujore do ishte 100 € /12 muaj = 8.3 €, që me një kurs mesatar 116 lekë/€ do të ishte 967 lekë/muaj, ose 32 lekë/ditë.

Me fjalë të tjera ne “kursejmë” 32 lekë/ditë (sa bakshishi që i lëmë një kamerieri kur pimë kafenë e mëngjesit) për të luajtur “bixhoz” me natyrën (tërmetin) 100.000 euro ose 11.600.000 lekë (shtëpinë tonë).

Konkluzioni nga aspekti i kostos së primit të sigurimit rezulton që është në nivel të përballueshëm nga të gjitha shtresat e popullsisë në Shqipëri, në referencë të të ardhurave mesatare që vendi ynë raporton.

-Mungesë besimi te kompanitë e sigurimit: Gjatë tërmetit të nëntor 2019, kompanitë e sigurimit u testuan për kapacitetet e tyre paguese dhe respektimin e kushteve të policave të sigurimit të lëshuara prej tyre. Referohet që kërkesa për dëmshpërblim prej 487 milionë lekësh është paguar totalisht, nga të cilat 220 milionë u paguan nga fondet e kompanive të sigurimit shqiptare dhe 267 milionë nga kompanitë risiguruese.

Kompanitë risiguruese janë kompani sigurimi, që sigurojnë kompani sigurimi, që d.m.th. kompanitë e sigurimit paguajnë një prim sigurimi te këto kompani për të marrë garancinë që, në rast të ndodhjes së tërmetit, kostot financiare, sipas termave të policës së risigurimit, ndahen me kompaninë risiguruese.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk ka raportuar problematika, apo depozitime ankesash nga ana e qytetarëve për procesin e dëmshpërblimit, ndërkohë që qytetarët e dëmshpërblyer kanë referuar shpejtësi dhe seriozitet shërbimi nga kompanitë e sigurimit. Kjo tregon se ky faktor nuk është dominues apo shpjegues i paradoksit për këtë nivel sigurimi që kemi për shtëpitë.

-Mungesë informacioni në lidhje me sigurimin e shtëpisë: Në terminologjinë e akademikëve, referohet si “mungesë e edukimit financiar” dhe ky fenomen në Shqipëri është në shkallë të gjerë për të gjithë instrumentet financiare të së përditshmes sonë, duke filluar nga kur dhe nga kush mësojmë ne për llogarinë bankare, kartën e debitit, kreditit, kredinë?

Sigurimet janë edhe më kritikë, sepse duke qenë se janë më pak të ekspozuar kundrejt tregut, mbeten ose në hije, ose anekse të kontratave të kredive apo ato tregtare.

Sigurimet janë shkenca që merret me evidentimin, studimin, analizimin e risqeve që vijnë nga ngjarje të papritura të paparashikueshme që ndodhin në të ardhmen dhe sjellin pasoja dëmesh: lëndore, fizike apo financiare.

Në këtë përcaktim, logjika do të diktonte që sigurimet duhet të ishin parësorë në njohuritë që duhet të marrim, sepse si qenie njerëzore, nevoja thelbësore e sigurisë nga të papriturat prevalon mbi çdo njohuri tjetër.

Aktualisht, në asnjë kurrikulë akademike, në cilindo nivel arsimor, nuk jepet asnjë informacion për produktet e sigurimit. Edhe pse situata të papritura e të paparashikuara, që shkaktojnë dëme, ka në çdo fushë të jetës, vetëm në Fakultetin Ekonomik aktualisht është një lëndë që zhvillohet në nivelin master – “Menaxhimi i riskut dhe sigurimet”, që përveçse është lëndë fakultative, por dhe në përmbajtje, zhvillon teorinë e filozofisë së sigurimit dhe jo njohuri praktike që të kuptojmë çfarë është sigurimi nga tërmeti (meqenëse po i referohemi specifikisht në këtë artikull), çfarë dëmesh adreson për dëmshpërblim, si lexohet dhe kuptohet polica e sigurimit, çfarë të drejtash dhe detyrimesh kanë palët në këtë kontratë etj.

Le të shohim sesi e marrim informacionin për sigurimet:

Nga kompanitë e sigurimit, nëpërmjet rrjeteve të tyre sociale, website dhe mjeteve të tjera të komunikimit. Përgjithësisht janë komunikime me mesazhe sipërfaqësore, që prezumojnë që audienca zotëron njohuritë për sigurimet dhe tani është në stadin e përzgjedhjes midis ofertave.

Kjo është arsyeja që këto mesazhe nuk replikohen në veprime nga qytetarët, sepse janë mesazhe të “padekoduara” për t’u kuptuar nga ata në nivelin e njohurive që kanë për sigurimet.

Nga ndërmjetësit në sigurime si agjentë, brokera në sigurime. Këto janë subjekte të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe certifikohen për njohuritë e tyre profesionale. Në kuadër të masave në përmirësimin e kuadrit rregullator në adresim të pasojave të tërmetit të nëntorit 2019, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar Rregulloren nr. 198/2020 “Për kualifikimin profesional dhe edukimin në vazhdim”, e cila adreson ngritjen e kapaciteteve profesionale të ndërmjetësve në sigurime, që përfaqësojnë një hallkë shumë të rëndësishme në edukimin financiar në sigurime të qytetarëve.

Roli i tyre u kuptua pas evidentimit dhe përballjes që kompanitë e sigurimeve patën me qytetarët, në shpjegimin e pretendimeve të tyre për dëmshpërblim të pasojave të tërmetit dhe specifikisht, qytetarëve kredimarrës në banka, apo institucione financiare. Bankat apo institucionet financiare, ligjërisht kanë statusin e ndërmjetësit në sigurime dhe, si rrjedhojë, mbajnë përgjegjësi në lidhje me transparencën, shpjegimin e cilitdo kredimarrës në lidhje me sigurimin që ata shesin, në kuadër të produkteve të tyre bankare.

 

Shembull

Për ta bërë më konkret diskutimin, le të shpjegojmë një shembull nga më tipikët, me të cilin u përball sistemi i sigurimeve në nëntor 2019. Për të marrë një kredi për shtëpi në bankë është kusht sigurimi i shtëpisë (kolateralit që lihet garanci për kredinë), me qëllimin që në kushtet që kredimarrësi dështon në pagesat e kredisë, banka të ketë një objekt për ta shitur dhe të sigurojë pagesën e kredisë që d.m.th. objekti duhet të jetë gjithmonë në gjendje të mirë dhe të sigurt. Kjo është arsyeja që banka kërkon gjithmonë që shtëpia të jetë e siguruar nga katastrofat natyrore.

Mungesa e njohurive të sakta për sigurimet nga disa banka diktoi që sigurimet nga katastrofat të limitoheshin vetëm në sigurim nga zjarri, edhe pse prona (kolaterali) kishte ekspozim nga tërmeti, përmbytjet etj. Kjo u justifikua me qasjen që bankat kanë për të minimizuar kostot financiare të kredimarrësve, duke ju “kursyer” primin e sigurimit të shtëpisë nga ngjarjet e tjera katastrofike.

Si pasojë, kjo solli që kredimarrësit në banka, me shtëpi të dëmtuara nga tërmeti bashkë me bankat të rendnin te kompanitë e sigurimit për të kërkuar dëmshpërblim. Nga kompanitë e sigurimit u refuzuan kërkesat, duke shpjeguar që policat e sigurimit ishin për dëme të ardhura nga zjarri, ndërsa tërmeti nuk ishte i përfshirë.

Kjo solli zhgënjim dhe irritim të qytetarëve kredimarrës, disa prej të cilëve ngritën pretendimin që nuk kishin marrë shpjegimet e sakta për opsionet e sigurimit të shtëpive dhe disa të tjerë, vuajtën pasojat e vendimeve në dukje me përfitim (paguan më pak prim), por me kosto kolosale, sepse humbën dhe shtëpinë, ndërkohë që vijuan të jenë në borxh me bankën për shumën e kredisë.

Me fjalë të tjera, nevoja financiare tashmë kaloi në 180.000 €; 80.000 € huaja e bankës dhe 100.000 € për të rindërtuar shtëpinë e dëmtuar. (po e mbajmë të thjeshtëzuar modelin, duke mos konsideruar rritjen e çmimeve të shtëpive në vite).

Problemi i dytë ishte që bankierët vijuan me aplikimin e skemave të sigurimit vetëm për vlerën e kredisë, sipas tabelës së amortizimit, duke ngatërruar produktin sigurim kredie me sigurim shtëpie/kolaterali.

Për ta bërë më të thjeshtë kuptimin e kësaj situate absurde po përdorim një shembull të thjeshtë: shtëpia ka vlerë 100.000 €, financimi nga banka (vlera e kredisë) le të supozojmë 80.000 €.

Sigurimi i kolateralit i kërkuar nga banka bëhet për shumën 80.000€ më përfitues, që d.m.th. nëse shtëpia do të dëmtohej, kompania e sigurimit do të paguajë bankën në masën e vlerës së kredisë 80.000 €. Për çdo vit, primi paguhet për vlerën e amortizuar të kredisë. Le të supozojmë se ndodh tërmet, kur vlera e mbetur e kredisë është 20.000 € dhe shtëpia është e siguruar nga tërmeti.

Vlera e dëmit supozojmë të jetë 40.000 € (vlera e dëmit llogaritet nga vlerësuesit e dëmeve që janë subjekte të licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare). Pagesa që bëhet nga kompania e sigurimit llogaritet si më poshtë:

Vlera e dëmshpërblimit = vlera e dëmit * vlera e siguruar/vlerën e plotë të shtëpisë = 40.000 € * 20.000 € / 100.000 € = 8.000 €

Nga sa më lart, banka do të marrë dëmshpërblim nga kompania e sigurimit vetëm 8.000 €, duke lënë kredimarrësin me një borxh të hapur me bankën për 12.000 € dhe me një kosto financiare për 40.000 € që do t’i duhet të riparojë shtëpinë.

I gjithë ky paradoks sepse “kursyem” në pagimin e primit të sigurimit të shtëpisë, i cili nuk ka lidhje me amortizimin e kredisë, pasi adreson riparimet e shtëpisë, e cila nuk “amortizohet” me të njëjtën normë sikundër kredia.

Nga analiza më lart duket që Shqipëria duhet të adresojë me mekanizma gjithëpërfshirës implementimin e njohurive financiarë të domosdoshme në jetën e një individi. Kjo do të garantojë cilësinë dhe saktësinë e këtyre informacioneve, për të mos ia lënë vendimmarrjen për të bërë sigurim rastësisë, apo rastësive.

Do të siguroj gjithashtu që mungesa e reagimit ndaj katastrofave natyrore të jetë një vendimmarrje e ndërgjegjshme nga cilido që vendos të mbajë rrezikun e kostove të këtyre ngjarjeve me financat personale, apo familjare, dhe nuk është pasojë e padijes dhe mungesës së opsioneve që na ofrohen për të siguruar një vijueshmëri normale të jetës dhe të pacenuar financiarisht nga këto ngjarje.

Le të përballojmë kostot emocionale dhe/ose fizike që këto katastrofa shkaktojnë meqenëse nuk mund t’i parandalojmë të ndodhin, por të paktën të mos vuajmë dhe “shokun” psikologjik të “ku do t’i gjejmë paratë që më duhen për të ndërtuar apo për të riparuar shtëpinë”.

*International Financial Institute for Banking & Insurance (IFIBI)
Opinionet janë personale të autorit

 

Burimi: Revista Monitor

Open WhatsApp
Na kontaktoni !
Mirë se vini në ALBIG !
Përshendetje !
Si mund t'ju ndihmojmë ?