Albsig shoqeri sigurimesh

Si të mbrohemi nga vapa

  • Home
  • Si të mbrohemi nga vapa
Si të mbrohemi nga vapa

Pavarësisht se i gëzohemi stinës së verës pas një dimri të gjatë, të ftohtë dhe me rrezikshmëri të lartë sëmundjesh gripale, edhe temperaturat e larta vijnë me rreziqet e tyre për shëndetin e të gjithëve dhe kryesisht të të moshuarve dhe duhet të dimë si të mbrohemi nga vapa. Është e rëndësishme të marrim masa të përditshme gjatë periudhës më të nxehtë për të mbrojtur veten dhe të afërmit nga vapa, në mënyrë që t’i shijojmë sa më shumë muajt më të preferuar të vitit.

1- Mbuloni kokën nga dielli

Gjatë stinës së verës, kapelja bëhet një domosdoshmëri e përditshme, veçanërisht nëse jeni në plazh, apo kaloni orë të gjata në vende të hapura të ekspozuara ndaj diellit. Të njëjtin funksion mund të kryejë edhe një shami, apo një çadër dielli, ndaj mjafton të zgjidhni atë që i përshtatet më shumë stilit tuaj. Kështu plotësoni dy nevoja njëherësh; mbroheni nga dielli dhe i shtoni veshjes një aksesor sa praktik, aq edhe estetik. Sigurohuni gjithmonë që edhe të moshuarit në familjen tuaj të kenë kokën të mbuluar nëse ekspozohen ndaj diellit.

2- Evitoni orët e pikut

Çdo institucion shëndetësor rekomandon që fëmijët dhe të moshuarit të mos dalin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës. Edhe nëse jeni në plazh, përcaktojini gjithmonë një orar fëmijëve, duke i larguar gjatë orëve të drekës për t’i kthyer në pasdite, kur ka rënë vapa e madhe dhe temperaturat janë të përballueshme. Edhe të rinjtë që kryejnë veprimtari fizike, këshillohen që t’i zhvendosin ato në orare më të përshtatshme. Koha më e mirë për veprimtari në vende të hapura është mëngjesi, deri në orën 10:00 dhe pasditja pas orës 17:00.

3- Pini lëngje edhe kur s’keni etje

Kjo është një këshillë që duhet ndjekur nga çdo moshë. Hidratimi gjatë stinës së verës bëhet më i rëndësishëm se në çdo periudhë tjetër të vitit, pasi djersitja e tepërt çon në humbje të lëngjeve dhe kripërave në trup, çka shkakton rënie të presionit të gjakut, dhe ndërlikimet që vijnë prej kësaj. Duhet të mbani gjithmonë ujë me vete, madje dhe gjatë rrugës për në punë, në autobus, e kudo. Veçanërisht të moshuarit që dalin për shëtitje të shkurtra, apo për të bërë pazar, përveç mjekimit që marrin në rast sëmundjesh kronike, duhet të kenë gjithmonë një shishe ujë me vete për çdo rast emergjence.

4- Mos lini askënd në makina të parkuara

Mund të duket diçka e parëndësishme kjo kur bëni ndonjë ndalesë të shkurtër për të blerë diçka, apo për të pirë një kafe, por qëndrimi në makinën e mbyllur dhe të ekspozuar ndaj diellit mund të jetë tepër i rrezikshëm, veçanërisht për fëmijët dhe kafshët shtëpiake, ndaj kujdesuni gjithmonë t’i merrni me vete kur dilni nga makina, apo të lini kondicionerin ndezur gjatë gjithë kohës së qëndrimit.

5- Kontrolloni temperaturat para se të dilni nga shtëpia

Me celularët dhe aplikacionet që kemi sot, kontrolli i motit është bërë rutinë dhe e përdorim gjatë gjithë kohës kur duam të bëjmë plane fundjave, por në ditët më të nxehta të vitit, duhet ta përdorim edhe për planin e ditës. Mos harroni asnjëherë të shikoni sa do jenë temperaturat mesatare dhe në bazë të aktivitetit që keni planifikuar për atë ditë, të merrni masat e nevojshme për të mos u rrezikuar nga vapa. Ashtu siç bëni me shiun.

Goditjet e të nxehtit duhen konsideruar gjithmonë si emergjencë mjekësore, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe njerëzit me sëmundje kronike. Nëse jeni të pajisur me kartën e shëndetit Albsig, apo keni blerë policën e shëndetit në udhëtim, do të jeni të mbuluar nga çdo e papritur e tillë dhe do të gjeni kujdesin më të mirë mjekësor kudo që të ndodheni.

Kështu, kujdesit tuaj praktik i shtoni edhe mbrojtjen e duhur financiare, duke e shijuar stinën e verës në çdo ditë të saj.

Open WhatsApp
Na kontaktoni !
Mirë se vini në ALBIG !
Përshendetje !
Si mund t'ju ndihmojmë ?