Si të mbrojmë natyrën nga zjarret që ndezim vetë

Me ardhjen e stinës së verës, shumë të apasionuar pas natyrës nisin ekskursionet dhe marshimet në vendet më të bukura të Shqipërisë. Disa i drejtohen bregdetit e disa majave të maleve, por këta vizitorë përbëjnë edhe një rrezik serioz për natyrën, veçanërisht në temperaturat e larta, thatësirë apo në mot me erë. Janë kushtet ideale për një zjarr që mund të rrezikojë sipërfaqe të mëdha bimësie, por edhe njerëz e banesa, nëse del jashtë kontrollit. Për më tepër, shkaktimi i zjarrit nga dora e njeriut ndalohet me ligj! Ja disa nga rregullat që duhet të respektojnë të gjithë ata që bëjnë turizëm në natyrë, por edhe ata që banojnë në mes të saj.

1- Mos hidhni cigaret e ndezura në mjedise të hapura

Një nga shkaqet më të shpeshta të zjarreve është ajo cigarja e pafikur mirë që hidhet pa kujdes në bar të thatë. Dhe përveç faktit që duhani nuk të bën mirë për shëndetin, nuk bën mirë as për natyrën! Një gabim i tillë është tërësisht i evitueshëm. Mjafton që cigaren ta fikni me ujë dhe jo me këmbë. Dhe mos e hidhni përtokë. Mbani gjithmonë me vete një qese, apo futini nëpër xhepa derisa të arrini në pikën më të afërt të grumbullimit të plehrave.

2- Mos ndizni skarën në afërsi të barit dhe degëve të thata

Një nga gjërat më të bukura të shëtitjeve në natyrë është ngrënia e ushqimeve të skarës të shoqëruara me birra të ftohta. Por edhe zbavitja ka rregullat e saj. Skara s’duhet ndezur asnjëherë në mjedis të hapur, në afërsi të pyllit, ose në afërsi të barit dhe degëve të thata. Për të mbrojtur veten tuaj, natyrën dhe kujtimin e bukur të ekskursionit, kujdesuni të gjeni vendin e përshtatshëm për të vënë skarën dhe ai që e përdor të ketë përvojën e duhur. E njëjta gjë vlen edhe për zjarret e kampingut. Dhe s’duhet të largoheni asnjëherë pa u siguruar që zjarri të jetë shuar plotësisht.

3- Mos lini plehrat në diell

Në fakt, plehrat nuk duhen lënë as në hije e jo më në diell. Është përgjegjësia e gjithësecilit që mbeturinat t’i mbledhë dhe t’i hedhë në vendin e caktuar. Ekziston mundësia e vetëndezjes së plehrave, veçanërisht kur rrinë për një kohë të gjatë në diell, ndaj mos lini asnjëherë pa marrë me vete mbeturinat tuaja. Madje do të bënit mirë që të gjenit 10 minuta kohë për të kontrolluar dhe pastruar zonën ku po pushoni, në mënyrë që të shmangni dëmet edhe nga papërgjegjshmëria e ndonjë tjetri.

4- Mos digjni plehrat në mjedise të hapura

Që t’i biem shkurt; plehrat merren gjithmonë me vete. As nuk lihen aty, as nuk digjen, sepse në të dyja rastet mund të shkaktojnë zjarr. Kjo këshillë nuk vlen vetëm për turistë, por mbi të gjitha për banorë e fermerë të zonës që shpesh djegin barin, bimësitë e ulëta, apo mbeturina të tjera në mjedise të hapura. Edhe zjarrvënia nga kryerja e aktiviteteve bujqësore si djegia e barërave të këqija dhe e mbeturinave të tjera me origjinë bimore është e ndaluar me ligj. Ky ligj vlen për të mbrojtur dhe jetën e pronën tonë.

5- Mbani makinat larg bimësisë së thatë

Mos harroni që motorët e makinës mund të nxehen deri në mbi 500 gradë! Dhe veçanërisht makinat që s’janë të mirëmbajtura mirë, janë më të prirurat për të lëshuar shkëndija që sjellin pasoja të rënda. Mos ecni me makinë mbi bar të thatë dhe mos parkoni asnjëherë pranë tij. Për më tepër, në raste udhëtimesh në natyrë, mbani në makinë lopatë, kovë dhe fikëse zjarri për çdo rast.

Sipas statistikave, 9 në 10 zjarre në natyrë, shkaktohen nga dora e njeriut. Pavarësisht se jo të gjitha zjarret janë të dëmshme, pasi disa prej tyre ndihmojnë në ripërtëritjen e bimësisë dhe tokës, zjarret që shkaktojmë nga ngelizhenca jonë nuk hyjnë asnjëherë në këtë kategori. Nëse do të tregohemi të gjithë të kujdesshëm, ndoshta një ditë mund t’ia lëmë rrufesë dhe diellit përgjegjësinë më të madhe për zjarre të tilla. Dhe do të ndiheshim akoma më mirë gjatë shëtitjeve tona në natyrën e mrekullueshme shqiptare, duke ditur se përveçse vizitorë, jemi njëkohësisht edhe mbrojtës të kësaj shtëpie të madhe. Dhe meqë ra fjala tek shtëpia, udhëtimet në natyrë, i shijoni shumë më tepër kur e dini se edhe banesën tuaj e keni siguruar nga zjarri. Me një policë Sigurimi nga Zjarri të Albsig, dhe me kujdesin që tregoni ndaj natyrës, e keni përmbushur dyfish detyrën tuaj si qytetarë të përgjegjshëm.