Albsig shoqeri sigurimesh

Ecuria e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-shkurt 2022

  • Home
  • Ecuria e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-shkurt 2022
Ecuria e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-shkurt 2022

Burimi: Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare

Në tregun e Sigurimeve në Shqipëri për dy muajt e parë të këtij viti  primet e shkruara bruto janë ulur ndërsa numri i kontratave është rritur. Edhe pse të ndikuar nga shumë faktor duket se konsumatoret sa vijnë e ndërgjegjësohen për t’u pajisur me kontrata sigurimesh. Sipas Buletini Statistikor të AMF-së të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-shkurt 2022 kapën vlerën 2,800 milionë lekë, ose 0.82% më pak se në janar-shkurt 2021. Gjatë periudhës janar-shkurt 2022, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 167,157 me një rritje prej 19.39% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.67% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.31%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 37.64% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 62.36% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-shkurt 2022, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 840 milionë lekë, ose 39.87% më pak se në periudhën janar-shkurt 2021, kjo ulje është e ndikuar nga vazhdimësia e  pagesave për dëmshpërblime nga tërmetet e fundvitit 2019 gjatë janar-shkurtit 2021.

Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-shkurt 2022 kapën vlerën 623 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 0.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-shkurt 2022 arritën rreth 1,746 milionë lekë, ose 10.21 % më shumë se në periudhën janar-shkurt 2021.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-shkurt 2022, pati një rritje prej 7.16% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 4.69% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-shkurt 2022 pati një rritje prej 35.14% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 36.66% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2021.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-shkurt 2022, pati një rritje 3.29% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-shkurt 2021. Edhe numri i kontratave u rrit me 2.29%.

Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-shkurt 2022 arritën rreth 1,054 milionë lekë, 14.93% më pak se në periudhën janar-shkurt 2021. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 40.13% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2021.

Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-shkurt 2022, patën një ulje me 19.87% kundrejt periudhës janar-shkurt 2021.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-shkurt 2022 siguruan mbi 428 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 56.89%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 31.21% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-shkurt 2022, vihet re një ulje prej 58.26% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 1.59% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-shkurt 2021.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-shkurt 2022, arritën në rreth 228 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 36.84% në krahasim me periudhën janar-shkurt 2021.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-shkurt 2022, arritën rreth 205 milionë lekë, ose 13.78% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

*[1]Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-shkurt 2022 u ulën me 39.87% krahasuar me janar-shkurt 2021. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 623 milionë lekë, apo 74.21% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-shkurt 2022, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar raportin e plotë statistikor (në versionin Excel) për janar-shkurt 2022, ju lutemi klikoni këtu.


[1]Tek dëmet e paguara janë përfshirë dhe Dëmet nga Fondi i Kompensimit raportuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit.

Open WhatsApp
Na kontaktoni !
Mirë se vini në ALBIG !
Përshendetje !
Si mund t'ju ndihmojmë ?