Sigurimet më të çuditshme në botë

  • Home
  • Sigurimet më të çuditshme në botë
Sigurimet më të çuditshme në botë

Industria e sigurimeve ekziston prej qindra vjetësh dhe ofron polica për të mbuluar pothuajse çdo rrezik të imagjinueshëm. Megjithëse shumë sigurime kanë vlerë reale dhe mbrojnë nga rreziku i natyrshëm që mund të hasim kudo në jetën e përditshme, disa individë blejnë polica sigurimi që mund të duken absurde dhe qesharake për shumëkënd! Ja disa nga llojet e sigurimeve që ekzistojnë vërtet në botë:

Sigurimi i pjesëve të trupit

Çfarë do të mendonit nëse do të dinit që këmbët e supermodeles Heidi Klum vlejnë 2.2 milionë dollarë? Vithet e Jennifer Lopezit vlejnë 27 milionë dhe zëri i këngëtarit Rod Stewart vlen 6 milionë dollarë. Këta janë vetëm tre nga njerëzit e famshëm që kanë siguruar pjesët e trupit të tyre për shifra marramendëse. Por nuk janë vetëm VIP-at që e bëjnë një gjë të tillë. Në të shumtën e rasteve janë modelët e këmbëve dhe të duarve që me anë të një police të tillë sigurojnë mjetin e tyre kryesor të punës. Dhe mirë e kanë. Por e paguajnë shumë shtrenjtë ama. Një prodhuesi holandez verërash, i cili siguroi hundën për 7.8 milionë dollarë, iu desh të paguante 23,000 dollarë në vit për policën e tij.

Sigurimi i karrierës

Nuk flasim për karrierën e suksesshme të një punonjësi që shkon tetë orë në punë, merr rrogën dhe del në pension 65 vjeç. Është fjala për karriera si ato të sportistëve të famshëm, apo për njerëz karriera e të cilëve zgjat për pak vjet dhe është e vetmja mënyrë jetese. Për shembull; nëse ylli i futbollit David Beckham do të pësonte një dëmtim që do t’i jepte fund karrierës së tij, siguruesi do ta dëmshpërblente me 151 milionë dollarë.

Sigurimi nga Fantazmat

Po. Disa kompani sigurimi e kanë vërtet një policë të tillë. Mbulojnë dëmet e shkaktuara nga shpirtra dhe fantazma. Por si në çdo biznes tjetër, arsyeja që ofrojnë një shërbim është se dikujt i ka lindur nevoja për t’u mbrojtur nga një rrezik i tillë. Pasi pretendoi se kishte parë një fantazmë në pronën e tij, një pronar hoteli në Britani, bleu një policë sigurimi prej 1 milion paundësh për t’u siguruar nga vdekja apo paaftësimi për shkak të fantazmave.

Sigurimi nga Rrëmbimi i Alienëve

Ka sigurim edhe për këtë. Dhe duke konsideruar numrin e madh të njerëzve që besojnë në takimet me llojin e tretë, nuk ka pse të jetë aq e çuditshme të duash të mbrohesh nga një rrezik i tillë. Janë të paktën tre kompani të ndryshe sigurimesh që e ofrojnë këtë policë në botë, madje kanë dhënë edhe dëmshpërblime! Kështu që po të jeni ndër ata që jetojnë me frikën nga alienët, mund të jetë polica e përsosur për të qetësuar mendjen.

Sigurimi nga Ndërrimi i Mendjes

E keni parë filmin “Runaway Bride”? Julia Roberts është një nuse që braktis burrat në altar dhe çon dëm çdo shpenzim dhe lodhje për të organizuar ditën që supozohet të jetë më e bukura e jetës. Por po sikur t’ju bjerë fati i keq të keni një nuse të tillë që ju lë shëndenë pa pritur e pakujtuar? Një kompani ofron Sigurimin nga Ndërrimi i Mendjes në rastet kur nusja ose dhëndri anulojnë dasmën. Po kleçka është se dëmshpërblimin nuk e përfiton as njëri, as tjetri. Jo. E përfitojnë vetëm “palët e pafajshme” që kanë financuar për dasmën. Si prindërit, për shembull.

Sigurim nga Lotaria

Në shumë vende është praktikë e rëndomtë që kolektivi i punës të blejë bileta lotarie të përbashkëta, veçanërisht kur shuma arrin në disa miliona dollarë. Por e mendon dot si pronar kompanie se çfarë do të ndodhte po të fitonte stafi yt lotarinë? Diçka e tillë ndodhi në Britani. Shtatë punonjës të një kompanie fituan lotarinë duke marrë nga 6 milionë paundë secili dhe dhanë dorëheqjen që të nesërmen. Tani ka një policë sigurimi që mbron pronarët e bizneseve nga humbja financiare në rast se iu duhet të zëvendësojnë një pjesë të madhe të stafit për shkak të fitimit të lotarisë.

Çuditë nuk mbarojnë këtu e megjithëse mund të duken qesharake, këto polica të çmendura sigurimi ekzistojnë sepse dikush, diku, ka pasur frikën se mos humbiste diçka të vlefshme. Dhe duke parë ekstremet ku arrijnë njerëzit për t’u mbrojtur edhe nga rreziqet më të pabesueshme, nuk duket aq absurde që të duash të sigurohesh nga fatkeqësi që mund të të ndodhin çdo ditë. Për njerëzit e zakonshëm, sëmundjet, zjarri, tërmetet dhe aksidentet rrugore janë rreziqe që s’duhen shpërfillur dhe qëllimi i Albsig është të mbrojë nga rreziqe të tilla çdo aspekt të jetës që ju e konsideroni me vlerë.

Open WhatsApp
Na kontaktoni !
Mirë se vini në ALBIG !
Përshendetje !
Si mund t'ju ndihmojmë ?